Shënim
Është një projekt privat për katalogimin dhe dokumentimin e botimeve. Shënimet janë kataloguar nga burime të besueshme, duke përdorur inteligjencën artificiale (AI), prandaj, mund të ketë gabime. Logos-A nuk është përgjegjëse për përmbajtjen e kësaj faqeje.
← Kthehu
Cover

Shpresa për jetë (Roman)

Autor Metin Izeti

Përshkrimi

Nën zërin e kallamit, aty ku era e Sharrit përzihet me erën e librave të vjetër, kam shkruar këto faqe, jo shpejt, por kanë kaluar njëzet vjet, ndoshta edhe më shumë. Jo për t'u lexuar me nxitim, por për t'u ndjerë - aty ku fjala pushon së qeni thjesht tingull dhe bëhet dritë e brendshme.

Ky roman nuk lindi në tryezën time të punës. Lindi në kodrën mbi Tetovë, te gurët e kalasë ku kam ecur shpesh, vetëm, kur mendja më bëhej shumë e ngarkuar dhe kisha nevojë për ajër e lartësi. Ajo kodër, Balltepe, Kodra e Mjaltit, më ka mësuar se lartësia nuk është largim - është afrim. Me veten, me Zotin, me ata që duam edhe kur nuk janë pranë. Kur ngjitesh, nuk ikën nga bota; përkundrazi, e sheh më qartë, dhe duke e parë më qartë, mëson ta duash edhe me të meta. Sepse edhe Tetova - e zhurmshme, e çrregullt, me mure të vjetra e shpirt të ri - edhe ajo është një pasqyrë e brendësisë njerëzore. Dhe unë, duke shkruar për Shpresën, për Vegimin, për Ibrahimin e Dritën, për Mehmetrizain e Valonin, në fakt kam shkruar për atë që secili prej nesh mban brenda: pyetjen e madhe për kuptimin, për vendin, për kthimin. Rumiu, ai që qau aq bukur për kallamin e ndarë nga pellgu, thoshte se njeriu është si një kamish i zbrazët - i zbrazët për t'u mbushur me erën e Zotit.

Lexuesi që mban këtë libër në duar, nëse është i lodhur nga përgjigjet e gatshme, nëse ndien se diçka i mungon edhe kur ka gjithçka materiale, nëse ka ikur nga vendi i tij dhe ndonjëherë pyet veten pse, ose nëse ka qëndruar dhe pyet veten pse nuk iku - ai lexues do të gjejë këtu një shok udhëtimi. Jo dikë që i jep përgjigje, por dikë që ecën pranë tij dhe thotë: "Edhe unë nuk e di. Por nuk kam pushuar së kërkuari." Sepse kërkimi, kur bëhet me zemër të pastër, është tashmë një formë e gjetjes.  

Nga i njëjti autor (Metin Izeti)

Shiko të gjitha →